KLGJ pezullon veprimtaritë dhe shërbimet gjyqësore deri më 7 prill

TIRANË, 27 mars/ ATSH- A. Fortuzi/- Duke marrë shkas nga situata në vend e krijuar nga virusi COVID-19, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë para dy ditësh vendimin për të vijuar pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë, deri në datën 7 prill 2020, me përjashtim të çështjeve urgjente.

Sipas njoftimit të publikuar nga KLGJ, “ky nuk është një vendim i marrë lehtësisht, por jemi të angazhuar për të garantuar sigurinë e publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Këto janë kohë të paprecedentë për të gjithë botën dhe ne, ashtu si dhe ju, jemi duke punuar për të gjetur rrugën më të mirë për të ecur përpara. Ne mbështesim marrjen e masave të vazhdueshme për mbrojtjen e vendit dhe të gjithë qytetarëve nga përhapja e virusit COVID-19”.

“Në të njëjtën kohë, jemi të vetëdijshëm se shumë prej jush kanë shqetësime në lidhje me çështjet gjyqësore në proces dhe/ose afate që po afrohen me shpejtësi për paraqitjen e dokumenteve apo të çështjeve të reja”,- vijon njoftimi i KLGJ.

“Aksesi i publikut në drejtësi është prioriteti ynë dhe një përgjegjësi të cilën ne e kemi marrë shumë seriozisht. Për të arritur këtë qëllim, ne kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Ministrave për të siguruar se askujt nuk do t’i mohohet aksesi në drejtësi për shkak të një afati që përkon me periudhën e pezullimit të veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore”,- sqarohet në njoftim.

“Duke filluar nga mbrëmë, akti normativ përkatës është miratuar nga Këshilli i Ministrave, afatet janë pezulluar. Kjo është kohë për solidaritet dhe ne do të bëjmë pjesën tonë për të siguruar se jemi të gjithë të bashkuar në përpjekjet për akses në drejtësi, duke respektuar kërkesat strikte të distancimi fizik. Këshilli i Lartë Gjyqësor do ju informojë në vijimësi në lidhje me zhvillimet e reja dhe ju uron shëndet dhe siguri!”,- përfundon njoftimi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.