FOTO/ Kryebashkiaku Golemi për ATSH-në: 516 pako ushqimore të shpërndara deri tani për familjet në nevojë dhe të moshuarit

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Në bashkinë e Gjirokastrës vijon puna me intensitet në terren për shpërndarjen e ndihmave ushqimore në familjet në nevojë dhe të moshuarit.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha për ATSH-në se “nga data 19 mars e deri më sot janë shpërndarë në total 516 pako ushqimore nga të cilat 320 në qytet dhe 196 në njësitë administrative si Lazarat, Picar, Odrie, Antigone, Cepo dhe Lunxhëri. Ne kemi listuar të gjitha familjet në nevojë që janë rreth 262 familje”.

“Në vëmendjen e bashkisë janë personat e skemës së ndihmës ekonomike, fëmijët me status jetimi, të vendosur në kujdestari alternative, shtresat në nevojë, të moshuarit e vetmuar, personat me aftësi të kufizuar, të verbrit pa kujdestari , familje të cilët në përbërje të tyre kanë fëmijë, si dhe anëtarët e komuniteteve rome dhe egjiptiane”, – theksoi Golemi.

Sipas tij, janë ngritur 10 grupe patronazhi, 4 në qytetin e Gjirokastrës dhe për çdo njësi administrative është ngritur një grup ku bën pjesë administratori i njësisë dhe çdo kryeplak sipas fshatrave.

Kryebashkiaku Golemi tha se “nga shërbimet sociale të bashkisë janë kontaktuar dhe po kontaktohen me telefon dhe derë më derë të gjithë të moshuarit që janë pa kujdesin e të afërmve të tyre.  Të moshuarve dhe atyre qe e kanë të pamundur lëvizjen, po u shërbehet në familje me medikamentet për të cilat kanë nevojë, si dhe me ushqime”.

Mbi masat që janë marrë në Gjirokastër lidhur me dezinfektimin e rrugëve e ambienteve të tjera publike, Golemi shprehet se përveç hapësirave publike të qytetit nga rrugët kryesore e sheshet tani së fundmi kemi filluar edhe në hyrjet e pallateve./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.