COVID-19/ Kuko: Masat e qeverisë rrisin sigurinë e qytetarëve, 1 200 këmbësorë janë gjobitur me 100 mijë lekë

TIRANË, 27 mars/ ATSH- A. Fortuzi/- Shqiptarët janë ndërgjegjësuar me masat e marra nga qeveria për të minimizuar përhapjen e COVID-19.

Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, gjatë një interviste televizive, është shprehur se ndërgjegjësimi është shumë i lartë dhe është vetëm një pjesë shumë e vogël ajo që nuk i zbaton rregullat.

Sipas Kukos, numri i këmbësorëve që është kapur jashtë orarit të lejuar është 1 200.

“Shqiptarët realisht i kanë respektuar dhe kanë një ndërgjegjësim shumë të lartë për respektimin e masave. Ditët e para e vendosjes së kësaj rutine të re, sa i takon orareve,njerëzve u është dashur pak kohë të ambientohen dhe të mësohen. Ne shohim që dita ditës ka një përmirësim të ndjeshëm dhe një ndërgjegjësim të qytetarëve, pasi e kanë kuptuar se këto nuk janë masa në dëm të tyre, por janë në të mirën e përgjithshme.”,- thekson Kuko.

“Në shumicën dërrmuese ka një respektim të masave dhe distancave  kur janë oraret e lëvizjes. Kjo është në të mirën e përgjithshme, njerëzit e kuptojnë se ka një rrezik. Kolegë nga ushtria e konsiderojnë luftë pa front, pasi asnjë nuk e di ku është armiku. Njerëzit e dinë dhe janë të ndërgjegjësuar. Deri tani kemi më shumë penalizme të këmbësorëve, në krahasim me drejtuesit e mjeteve të ndëshkuar, që janë vetëm pak, ndërsa janë 1 200 këmbësor të gjobitur për shkelje të fashave të orarit”,- bëri të ditur Kuko.

“Nuk kemi luksin dhe shansin që të gabojmë. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet, shikoni Kinën, vetëm disiplina e nxori në një kohë relativisht të shkurtër nga kriza, duke parë problemin që kishin. Në vende liberale, si Spanja dhe Italia kemi rritje të frikshme të kurbës së infeksionit, ndërsa ne morën masat menjëherë jemi brenda pritshmërive”,- tha Kuko.

Sipas saj paralelisht me monitorimin e masave, po zhvillohet dhe operacioni humanitar. “Siç e keni parë këto ditë për të mënjanuar lëvizjen  këmbësorëve, Forcat e Armatosura kanë shpërndarë pakot ushqimore te familjet në nevojë, te të moshuarit, apo të prekurit nga tërmeti. Dua të bëjë një thirrje, në rast se ka të moshuar të vetmuar, apo fëmijë që ndodhen larg të mbajnë parasysh nr 0800 40 40, linja e gjelbër e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku janë punonjës që janë të lidhur Bashkitë për t’i dhënë asistencë në banesë personave që kanë nevojë”,- tha Kuko.

“Policia është e pajisur me masa mbrojtëse dhe nuk ka pasur raste kur qytetarët kanë pasur rezistencë kur janë kapur në shkelje”,- përfundoi zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.