COVID-19/ Karcanaj: Si aplikohet për të marrë lejen e daljes nga shtëpia në e-Albania

TIRANË, 27 mars/ATSH/ “Përdor teknologjinë, ruaj veten dhe të tjerët”. Ky është mesazhi që ka dhënë sot drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karcanaj.

“Duke nisur nga dita e hënë, përmes e-Albania do disiplinohen daljet nga shtëpia, për të mbrojtur jetët e secilit prej nesh”, ka thënë ajo.

Ajo shpjeguar se si mund të aplikosh për lejedalje. “Konkretisht, qytetari apo biznesi hap faqen e-Albania dhe klikon në shërbimin “Leje për dalje”. Pasi vendos emrin, një person i vetëm i familjes, orën e lëvizjes (1 orë në fashën 05:00-13:00) dërgon kërkesën e cila miratohet menjëherë. Në e-mail do merrni konfirmimin”, ka shtuar ajo.

Për bizneset, Kacanaj ka shpjeguar se, “aplikimi bëhet me numrin e NIPT-it. Administratori përcakton emrat e punonjësve dhe numrat e tyre të telefonit, të cilët do të njoftohen me SMS për lejen e daljes”.

“Shumë më pyesin: po unë që s’kam internet apo smartphone? Qytetarët që nuk aksesojnë dot internetin, mund të bëjnë kërkesën 24 orë para me SMS përmes numrit FALAS 55155. Në mesazh dërgohet numri i kartës së identitetit dhe ora e lëvizjes (p.sh IxxxxxxxxB 10:00) dhe po me SMS, qytetari merr miratimin e lëvizjes”, ka thënë ajo.

“Kujtoj, që vetëm një person në familje mund të aplikojë për “Leje për dalje”. Pensionistët dhe moshat e thyera nuk do pajisen me leje, pasi është jetike që ata të qëndrojnë brenda”, ka shtuar Karcanaj.

“Në telefonat tuaj, ruani e-mail-in apo SMS miratuese e cila duhet t’i tregohet policisë në rast ndalimi. Mungesa e lejës ju penalizon me gjobë”, ka theksuar ajo.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.