SHBA – Georgieva: G20 të dyfishojë fondet e emergjencës së FMN-së

UASHINGTON, 26 mars /ATSH-AFP/- Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, u bëri sot thirrje vendeve të G20-s të dyfishojnë kapacitetin e fondit të emergjencës së institucionit të Uashingtonit.

“Ne duhet të veprojmë përkrah madhësisë së sfidës. Për ne në FMN, kjo do të thotë të punojmë me ju për të forcuar më tej përgjigjen tonë ndaj krizës”, deklaroi Georgieva, pas takimit virtual të G20-s.

“Për këtë, ne kërkojmë mbështetjen tuaj për të dyfishuar kapacitetin tonë të fondit të emergjencës, për të rritur likuiditetin global, për të mbështetur veprimin e kreditorëve, për të lehtësuar barrën e borxhit të anëtarëve tanë më të varfër, në kohën e recesionit”, shtoi ajo.

Ajo theksoi se shkalla e tkurrjes së PBB-së botërore këtë vit dhe shpejtësia e rikuperimit varen drejtpërdrejt nga shpejtësia e kontrollit të pandemisë dhe forca e koordinimi i masave të politikave monetare e fiskale.

Tani për tani, FMN ka një fond urgjence prej 50 miliardë dollarësh./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.