Ndihmat për familjet në nevojë, Gjici-kryetarit të PD-së Kukës: Ne vazhdojmë punën, ju hidhni “baltë”

TIRANË, 26 mars /ATSH – I. Vata/ Kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici ka reaguar sot në lidhje me akuzat e kryetarit të  PD Kukës, Arif Rexhmati duke i kërkuar që të mos bëjë politikë qorre në këtë situatë të emergjencës për shkak të COVID-19.

Kryetari i bashkisë Gjici në një prononcim për mediet tha se kryetari i PD-së Kukës ka gjetur të bëjë politikë në një kohë të vështirë edhe në kundërshtim me atë që bën lideri i opozitës.

“Nuk është koha për politikë kur i gjithë vendi është në luftë me COVID-19. Në një kohë kur presidenti, kryeministri, lideri i opozitës janë bërë bashkë, kryetari i PD-së Kukës bën politikë, në një kohë kur duhet të jemi të gjithë bashkë të përballojmë këtë situatë”, tha ai.

Gjici shtoi se duke qenë bashkë do të fitojmë këtë luftë tinëzare.

“Ne çdo aktivitet që ne bëjmë e kemi transparente dhe ndihma i dërgojmë të ata familje që kanë realisht nevojë. Prandaj edhe ju si biznesmen z. Arif, leni politikën dhe bashkohuni me ne, sepse edhe ju jeni biznesmen dhe mund të kontribuosh. Mjaft më me politika qorre në këtë situatë”, tha ai.

Sipas Gjicit, vetëm dje, “kemi shpërndarë 600 pako për 600 familje dhe ne e kemi nisur ndihmën për familjet në nevojë që ditën e parë dhe aktualisht të gjitha shtabet janë në terren për të ndihmuar familjet në nevojë”.

Kryetari i PD-së Kukës Arif Rexhmati akuzoi më herët bashkinë Kukës se ndarja e ndihmave nuk është transparente.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.