Meta kthen në Kuvend ligjin e pronave: Disa nene bien ndesh me dispozitat kushtetuese

TIRANË, 26 mars/ ATSH-A. Fortuzi/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me argumentin se ky ligj bie ndesh me dispozitat kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 5 mars 2020, ka miratuar ligjin nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj në datën 10.03.2020 i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

“Kjo nismë ligjore nuk kaloi për miratim si paketë bashkë me ligjin nr. 111/2018 “Për Kadastrën”, siç u propozua, ndërkohë që u kërkua opinioni i Komisionit të Venecias për dispozita të projektligjit, të cilat kishin të bënin me kriteret për konfirmimin e të drejtës së pronësisë për tokën bujqësore për personat që dispononin Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi”, sqaroi Presidenca.

“Ky ligj ka të deklaruar si qëllim të tij krijimin e bazës ligjore të thjeshtuar e të harmonizuar për përfundimin e proceseve kalimtare administrativo-ligjore të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe pronës private, qëllim ky i mirëpritur nga Presidenti i Republikës”, vijon argumentimi i Presidentit.

“Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi dhe në përfundim të shqyrtimit, çmon se disa nene të këtij ligji duhen rishikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi përmbajtja e tyre në formulimin aktual: cenon parimin e sigurisë juridike; bie ndesh me dispozita kushtetuese; rrezikon të krijojë tension kushtetues; si dhe nuk është në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, theksohet në njoftimin e Presidentit.

“Për këto arsye, në bindje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës së parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ligji nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e tij në disa dispozita ndër tjera në argumentet e sjella nga Presidenti për kthimin e ligjit në Kuvend”, theksohet në njoftimin e Presidentit të Republikës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.