Masat ndaj COVID-19/ Abuzimi me çmimet, 9 administratorë subjektesh të ndëshkuar

TIRANË, 26 mars/ ATSH-A. Fortuzi/ Gjatë 24 orëve të fundit janë proceduar penalisht 3 administratorë subjektesh dhe janë ndëshkuar me masë administrative 9 të tjerë, pasi u kapën duke abuzuar me çmimet e produkteve.

Policia e Shtetit, përmes një njoftimi për mediat thekson se vijon operacioni kundër informalitetit, në kuadër të masave të marra kundër COVID 19.

“Në vijim të operacionit kundër informalitetit, si dhe në zbatim të masave për parandalimin e abuzimit me çmimet si pasojë e shfrytëzimit të situatës, nisur dhe nga denoncimet e shumta të bëra nga qytetarët në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, të cilët kanë denoncuar subjekte që abuzojnë me çmimet e produkteve që tregtojnë në pikat e shumicës dhe të pakicës të tregut të fruta-perimeve, ushqimeve dhe produkteve farmaceutike apo që nuk u lëshojnë kuponin tatimor, në të gjithë vendin vijojnë kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve”, thekson Policia.

“Në Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me strukturat e Hetimit Tatimor dhe AKU-së, ndëshkuan administrativisht 7 administratorë subjektesh. Janë ndëshkuar me masë administrative 50.000 lekë, 7 administratorë, konkretisht shtetasit J. P., K. B., M. Xh., K. S., P. C., M. A. dhe G. P., pasi në tregun agroushqimor, në minimarketet dhe marketet në pronësi të këtyre shtetasve janë konstatuar raste të abuzimit me listën e çmimeve, si dhe moslëshim i kuptonit tatimor”, bën me dije Policia.

“Gjithashtu, po në Tiranë u procedua penalisht shtetasi P. Ç., për mospagim takash dhe tatimesh, si dhe fshehje të ardhurash, pasi në farmacinë e tij tregtonte medikamente pa kupon tatimor. Në Vlorë u ndëshkuan me masë administrative 50.000 lekë secili, shtetasit M. I. dhe A. A., pasi gjatë kontrolleve nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit Tatimor dhe AKU-së, në subjektet e këtyre shtetasve u konstatua se nuk lëshohej kupon tatimor”, thekson Policia.

“Gjithashtu, po në Vlorë u proceduan penalisht shtetasi M. Xh., pasi është konstatuar duke ushtruar aktivitet tregtar të padeklaruar në institucionet përkatëse dhe shtetasi E. Gj., pasi u konstatua se ushtronte aktivitetin tregtar në mënyrë të parregullt. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të abuzimit me çmimet dhe moslëshimin e kuptonit tatimor, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm”, përfundon njoftimi i Policisë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.