TIRANË, 26 mars/ATSH/ -“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”, deklaroi sot, një ditë pas votimit të mocionit të mosbesimit të qeverisë së tij në Kuvend, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
“Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh”, u shpreh Kurti.
“Mbledhja e djeshme e Kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi”, tha Kurti.
Kurti nënvizoi se, “ky Kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë Kuvend sepse e dashuron Kuvendin si të tillë”.
“Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë”, tha Kurti.
“Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”, u shpreh Kurti.
“Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”, përfundoi Kurti.
/gj.mima/ /a.g/