KOMENT – Draghi për FT: Reagim me forcë për mënjanimin e depresionit

LONDËR, 26 MARS /ATSH-ANSA/ – Reagim me forcë për mënjanimin e depresionit, kërkon ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi në një koment të gjatë për gazetën e njohur britanike ”The Financial Times”.

”Jemi në luftë kundër koronavirusit dhe duhet të lëvizim në përputhje me rrethanat dhe sfida është si të veprojmë me forcë dhe shpejtësi të mjaftueshme për të parandaluar që një recesion të shndërrohet në një depresion të zgjatur”, thekson Draghi.

“Tashmë është e qartë se përgjigjja ndaj luftës kundër koronavirusit duhet të përfshijë një rritje të konsiderueshme të borxhit publik”, shton ai.

“Humbja e të ardhurave të sektorit privat përfundimisht do të duhet të financohet, tërësisht ose pjesërisht, nga buxhetet e qeverisë. Nivelet më të larta të borxhit publik do të bëhen një tipar i përhershëm i ekonomive tona dhe do të shoqërohen me një anulim të borxhit privat”, thekson Draghi.

“Prioriteti nuk duhet të jetë vetëm të ofrojmë të ardhura themelore për ata që humbasin punën e tyre. Ne duhet t’i mbrojmë njerëzit që humbasin punën e tyre. Nëse nuk e bëjmë, do të dalim nga kriza me një nivel punësimi të ulët të përhershëm”, shkruan ish-presidenti i BQE-së.

“Përballë rrethanave të paparashikuara, një ndryshim i mentalitetit është i domosdoshëm në këtë krizë siç do të ishte në një kohë lufte. Humbja e të ardhurave nuk është faji i atyre që vuajnë prej saj”, shton ai.

”Në shumë mënyra, Europa është e pajisur mirë për t’u marrë me këtë tronditje të jashtëzakonshme. Ajo ka një strukturë financiare të aftë për të mbledhur fonde në çdo pjesë të ekonomisë. Ka një sektor të fortë publik, të aftë për të koordinuar një reagim të shpejtë. Shpejtësia është thelbësore për efektivitetin e përgjigjes ndaj koronavirusit”, përfundon ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi në një koment të gjatë për gazetën e njohur britanike ”The Financial Times”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.