KINË – Xi Jinping: G20 të ulë tarifat doganore në ndihmë të ekonomisë

PEKIN, 26 mars /ATSH-AFP/- Presidenti kinez, Xi Jinping u bëri thirrje sot vendeve të G20-s që të ulin tarifat për të dërguar një sinjal besimi në ekonominë globale përballë pandemisë së koronavirusit të ri.

“Vendet anëtare të G20-s të zvogëlojnë tarifat, të heqin pengesat doganore dhe të lehtësojnë flukset tregtare”, tha në një samit virtual mes 20 ekonomive më të mëdha në botë, Xi, sipas agjencia zyrtare Kina e Re.

Kina, ku COVID-19 u shfaq në fund të vitit të kaluar, është goditur rëndë nga virusi, me më shumë se 80 000 njerëz të infektuar dhe gati 3 300 të vdekur, sipas shifrave zyrtare.

Ekonomia e dytë në botë praktikisht u paralizua  në shkurt nga masat e marra për të ndaluar epideminë.

Aktiviteti rifilloi gradualisht në mars me ngadalësimin shumë të theksuar të infektimit./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.