COVID-19/ Tepelenë, bashkia shpërndan ushqime për familjet në nevojë në zonat rurale

TIRANË, 26 mars /ATSH/- Bashkia Tepelenë, po vijon me shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet në nevojë, në zonat rurale, në kushtet e karantinës si masë mbrojtëse që ka ndërmarrë qeveria kundër COVID-19.

“Në çdo orë të ditës stafi i bashkisë është në shërbim të qytetarëve dhe familjeve në nevojë ekstreme, duke u shpërndarë atyre pako me ushqime bazë”, u shpreh bashkia.

Grupet e koordinimit dhe zbatimit kanë qenë edhe sot ashtu si çdo ditë prezent në disa fshatra të njësisë Qendër, për t’iu ofruar ndihma ushqimore familjeve me nivel tejet të ulët jetik.

“Grupet e koordinimit janë në gatishmëri që t’i përgjigjen kërkesës së çdo familje në nevojë duke i’u dërguar ushqime apo ilaçe në shtëpi, me qëllim sigurimin e shëndetit. Kjo masë zbatohet për ato familje ose të moshur që nuk kanë njerëz të tjerë që mund t’ju vijnë ndihmë”, citon njoftimi i bashkisë Tepelenë.

Në bashkinë Tepelenë, gjatë tre ditëve të fundit, 160 familje në nevojë kanë marrë ndihma me ushqime, në kushtet e masave që ka marrë qeveria, për vetëizolimin qytetarëve kundër përhapjes së COVID-19.

e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.