PRISHTINË, 25 mars /ATSH/ Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka hyrë në qeveri si qiraxhi, por si zot shtëpie bashkë me Vetëvendosjen. Kështu tha sot Avdulla Hoti në fjalën e tij të mbajtur në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet mocioni i mosbesimit i paraqitur ndaj qeverisë Kurti nga një grup deputetësh.
Avdullah Hoti, duke arsyetuar mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti, pjesë e së cilës është edhe vetë si zëvendëskryeministër i Kosovës, tha se një gjë e tillë duhet të bëhet për shkak të prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në dhe tentimit të kryeministrit Albin Kurti që të nënshtrojë LDK-në.
Hoti, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i LDK-së, në seancën e jashtëzakonshme për mocionin e mosbesimit, tha se kjo parti ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me partnerin e koalicionit.
Numri dy i qeverisë përmendi disa nga arsyet pse kanë ndërmarrë inicimin për rrëzimin e qeverisë Kurti.
“Ne nuk kemi hyrë në qeveri si qiraxhi, por si zot shtëpie bashkë me VV. Heqja dorë e Kryeministrit karshi dialogut me Serbinë u bë pjesa kryesore e kësaj qeverie në ndërtimin e raporteve me SHBA që për ne ishte i papranueshme. Ne nuk mund të pranojmë që qeveria të bëhet shkaktare e sanksioneve ekonomike nga SHBA”, tha ai.
Sipas Hotit, kryeministri Kurti përmes veprimeve të tij si autokrat ka dëshmuar se nuk dëshiron partneritet me LDK-në.
/KosovaPress/