VIDEO/ Erind Cara fiton betejën me COVID-19: Për të fituar luftën duhet kontributi i të gjithëve ne, qëndroni në shtëpi

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Pas 10 ditësh në terapi pranë Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë dhe pas rezultatit të dy testeve që rezultuan negativ ndaj COVID -19, mund të themi që Erind Cara e fitoi betejën kundër COVID-19 dhe po kthehet në shtëpi i qetë dhe me shëndet të plotë.

Por Erindi shprehet se pavarësisht se ai e fitoi betejën e tij, humbi dhe miq të cilët i njohu gjatë kësaj beteje e që nuk ja dolën, dhe pse luftuan deri në frymën e fundit bashkë me mjekët e infermierët.

“Të dashur miq ! Unë fitova betejën me COVID-19, por për të fituar luftën duhet kontributi i të gjithëve ne. Nuk kërkohet asgjë e jashtëzakonshme në këtë luftë, por vetëm një gjë, që të gjithë kur nuk e kemi e duam aq shumë : të qëndrojmë në shtëpi dhe të kalojmë kohë me familjarët tanë.

Më parë kishim qindra justifikime, puna , koha , pamundësia, lodhja, etj. Sot është momenti i duhur të japim dhe marrim dashuri, të bisedojmë me njëri – tjetrin, t’u tregojmë sa shume i duam . Po po sa shumë i duam prindërit, motrat, vëllezërit, gjyshërit, miqtë e të gjithë ata që ne konsumojmë me ta gjënë më të rëndësishme, kohën”, shprehet Erindi në mesazhin e tij.

Ai përcjell edhe dy fjalë për ata që mendojnë se ky virus është diçka pa rëndësi.

“Qëndroni në shtëpi! Ky virus nuk të jep një mundësi të dytë. Shoku im i dhomës ishte një djalë i ri, që nuk kishte asnjë sëmundje të mëparshme. Kishte një familje të mrekullueshme , nuk i mungonte asgjë, por ky virus i rëndoi shëndetin. Një frymëmarrje të thellë thjeshtë kërkonte! Luftoi, luftoi deri në frymën e fundit, sepse ishte larguar pa u përshëndetur me askënd, kishte ardhur se nuk ndjehej mirë, siç mund të jemi secili nga ne. Por mbrëmë ai u dorëzua, nuk ia doli dot, la çdo gjë mbrapa dhe koronavirusi e mori pa mëshirë edhe pse ishte i ri dhe i shëndetshëm . Prandaj, qëndroni në shtëpi”, thotë ai.

Për disa të rinj të fortë, e të shëndetshëm, Erindi ka po të njëjtin apel. “Qëndroni në shtëpi, mendoni për familjarët tuaj, prindërit, gjyshërit imuniteti i të cilëve është më i dobët dhe COVID – 19 e ka më të thjeshtë për ti marrë në gjirin e tij”, shprehet Erindi.

Erindi shpreh mirënjohjen e thellë për stafin e mjekëve dhe infermierëve që ju gjenden pranë këto ditë.

“Dy fjalë të sinqerta për njerëzit më të rëndësishëm në këtë lufte, mjekët, infermierët, farmacistët, sanitarët dhe të gjithë ata që shërbejnë dhe kontribuojnë në këtë luftë kundër Covid -19. Ata janë në front në vijën e parë të kësaj beteje. 24/24 për të dhënë më të mirën e tyre edhe pse rreziku është shume i lartë. Të mendosh se dhe ata kanë lënë çdo gjë familjen, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, për të qenë aty për tu shërbyer pacientëve të tyre, atyre që nuk e donin këtë virus, por ai erdhi dhe i infektoj, njëlloj si atyre që thonin se nuk u bënte gjë virusi”, shprehet më tej Erindi.

Kur të arrish atje, e vijon ai rrëfimin, kërkon vetëm mëshirë, ndihmë dhe përkujdesje. “Kupton sa e rëndësishme është jeta, që tani nuk është vetëm në dorën tënde, por të mjekëve, infermierëve, COVID-19 dhe Zotit lart në qiell, që po na jep sinjalet e tij të kuptojmë sa e rëndësishme është  jeta, gjë të cilën e kishim harruar sepse na “mbytën“ angazhimet , punët, facebook, instagram, kafet dhe gjërat e pa rëndësishme .
Duhet të qëndrojmë në shtëpi që këta mjek, infermier të jenë sa më pak të rrezikuar”, thotë Erindi

Një falenderim të veçantë Erindi ka për stafin e spitalit infektiv: dr Najadën, Dr Arjanin, Dr Gentin, etj dhe infermierët Semi, Dasho, Lukja, Eni, Emanuela, e të tjerë. ”Ju falenderoj pa masë për çdo gjë që po bëni në ato kushte aq të vështira!”, shprehet Erindi./a.gjonaj/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.