Tregtonte produkte të skaduara, AKU gjobit me 300 mijë lekë një subjekt në Vlorë

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Drejtoria rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Vlorë vijon kontrollet dhe monitorimet në të gjithë qarkun, në zbatim të rregullave rigoroze të vendosura, në luftë kundër përhapjes së COVID- 19.

Gjatë kontrolleve të kryera në markete, supermarkete, furra buke dhe tregje ushqimore, AKU ka konstatuar në një subjekt ushqimor supermarket, produkte ushqimore të cilave u kishte kaluar afati i tyre i përdorimit (sallam, qumësht, çokollatë).

“Sasia e produkteve ushqimore me afat skadence të kaluar është bllokuar me destinacion asgjësimin e tyre si dhe u vendos masa administrative “gjobë” në vlerën e 300 mijë lekëve”, bën të ditur AKU.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informoi se do të vijojë pandalur monitorimet dhe kontrollet rigoroze në të gjithë vendin për zbatimin e kërkesave ligjore me fokus mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së konsumatorëve./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.