Mbi 1 mijë të gjobitur për lëvizje jashtë orarit të lejuar, u ndanë rreth 40 mijë pako ndihma

TIRANË, 25 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Mbi 40 000 familje në nevojë janë asistuar me paketa ushqimore deri mbrëmjen e së martës, ndërsa mbi 1 000 qytetarë janë gjobitur për qarkullimin jashtë orarit të lejuar.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një komunikimi videokonferencë me kryeministrin Edi Rama, sot pasdite, ka  pasqyruar punën e realizuar nga Policia e Shtetit në monitorimin e zbatimit nga qytetarët të masave të marra nga qeveria për të minimizuar përhapjen e COVID 19.

“Që nga momenti i parë familjet në nevojë i janë nënshtruar një procesi të shpërndarjes së ndihmave humanitare. Në fakt procesi i ndihmave është një proces që ndiqet nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndiqet nga Ministria e Brendshme përmes prefektëve. Janë disa shifra inkurajuese që tregojnë volumin e punës deri mbrëmë në darkë, ku janë ndihmuar mbi 40 mijë familje me paketa ushqimore, shpërndarje e medikamenteve apo shërbime të tjera për të moshuarit që ua çojën në banesat e tyre dhe i inkurajojmë të mos dalin nga shtëpitë”,- theksoi Lleshaj.

Lleshaj po ashtu evidentoi faktin se janë mbi 1 000 qytetarë që kanë shkelur orarin e lëvizjes. “Duhet të forcojmë masat, janë mbi 1 mijë e 60 qytetarë të ndëshkuar për arsye të ndryshme si qarkullimi jashtë orarit, hapje të bizneseve të mbyllura me urdhër apo qarkullim me mjete pa leje”, u shpreh ai.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.