Manastirliu: Kemi rritur numrin e testimeve për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se “është rritur numri i testeve për të dyshuarit me COVID-19”.

Gjatë videokonfererencës së ministrave me Kryeministrin Edi Rama, ministrja Manastirliu tha se “numri i testeve nuk është sipas dëshirës”.

“Numri i testeve realizohet në bazë të rekomandimeve të OBSH-së dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve. Ne testojmë me fokus ndërprerjen e zinxhirit të COVID-19. Është e nevojshme të theksoj se kemi bërë testime, aq sa nevoja ka pasur. Epidemiologët po bëjnë një punë shumë të mirë në terren për identifikimin e vatrave në të gjithë vendin. Ndërsa testimi masiv nuk përjashton riskun për popullatën”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se jemi në një javë ku kurba e të prekurve nga infeksioni po vijon të rritet, por sistemi ynë shëndetësor po e përballon deri tani këtë situatë.

“Jemi në javën e tretë dhe kurba do të vijojë të rritet, masat që kemi marrë do të vlerësohen javën që vjen. Por qytetarët duhet të respektojnë rregullat e distancimit social që t’i mundësojmë sistemit shëndetësor të përballojë rastet”, tha Manastirliu./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.