Kanali i komunikimit urgjent në platformën e Bashkëqeverisjes, Rama telefonon qytetarët: Përgjigje për çdo shqetësim

TIRANË, 25 mars/ATSH-Maela Marini/ Në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al është krijuar një kanal komunikimi urgjent për shqetësimet e qytetarëve, të cilëve u kthehet përgjigje brenda 24 orësh.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot t’i përgjigjet vetë problemeve të ngritura nga disa qytetarë në këtë platformë, ndërsa bëri thirrje që të përdoret ky kanal komunikimi dhe të mos përdoret numri 127, i cili është vetëm për hallin shëndetësor që lidhet me COVID-19.

“Kjo është rruga kanali i urgjencës që kemi hapur për të gjithë ata që kanë nevoja shëndetësore apo familjare. Është një ekip i tërë që merret, janë ministrat dhe unë do merrem por kjo është për t’i sensibilizuar të gjithë që të mos i bien 127, që është vetëm për hallin shëndetësor drejtpërdrejt. Ne jemi në dispozicion do të bëjmë ca mundemi, shkruani te shqiperiaqeduam.al do të telefonoheni dhe mbasi merret arsyeja zgjidhet kur ka zgjidhje”, tha Rama.

Rama tha se “qytetarët mund të shkruajnë dhe të lënë kontaktin telefonik dhe brenda 24 orësh ju kthehet përgjigje”.

Në telefonatat që bëri me qytetarët që kishin shkruar shqetësimet e tyre në platformë, Kryeministri sqaroi edhe njëherë se të punësuarit në biznesin e vogël do të përfitojnë pagën nga shteti.

“Ata që punojnë në kopësht privat hyjnë te kategoria që e kemi trajtuar si biznes të vogël dhe për të gjithë punonjësit do të japim ne një pagë”, tha Rama ndërsa ftoi këdo që punon në të zezë të denoncojë në mënyrë që të përfitojë nga ky vendim.

“Nëse je punëtor në të zezë nuk mund të jesh skllav. Duhet të thuash ky është pronari, ky është institucioni dhe ne do të mirëkuptohemi dhe me pronarin që të regjistroheni, por nëse nuk denonconi nuk paguheni dot”, i tha Rama një qytetari që punonte në informalitet.

Rama siguroi se “javën e parë të prillit do të shpërndahen të gjitha, por duhet të jetë emri i regjistruar në regjistrin e shtetit”. Po ashtu Rama tha se kur është deklaruar një pagë dhe një tjetër është deklaruar i punësuar pa pagesë do të paguhen të gjithë.

Edhe për personat e punësuar në bar-kafe, Rama i siguroi se do të marrin pagën që ka caktuar qeveria për ata që kanë mbyllur biznesin ku janë vetëpunësuar.

Po ashtu, Rama siguroi një studente se bursat vazhdojnë si më parë, ndërsa e paralajmëroi se “nëse del në rrugë e shoqëruar i ikën bursa dhe kërcet gjoba”.

Rama siguroi po ashtu qytetarët që kishin shkruar për probleme shëndetësore se do të kontaktohen nga strukturat përkatëse të shëndetësisë.

Po ashtu, Rama siguroi një qytetar që kishte humbur banesën nga tërmeti se bonusin e qirasë do ta paguajë qeveria dhe ata nuk duhet të dalin nga banesa.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.