FOTOGALERI- Operacioni i solidaritetit/ Përfundon shpërndarja e 500 pakove me ndihma ushqimore në Urën Vajgurore

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Në bashkinë e Urës Vajgurore vijon operacioni i solidaritetit për familjet në nevojë, ku vetëm ditën e sotme janë shpërndarë 60 pako me ushqime për familjet në nevojë.

Kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj informoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ka përfunduar shpërndarja e 440 pakove ushqimore ndërsa vetëm ditën e sotme nga ekipet e terrenit dhe vullnetarëve janë shpërndarë 60 pako. Ajo tha se ndihmat e sotme janë shpërndarë në njësinë Kutalli.

Ndërkaq, Memaj tha se operacioni i solidaritetit do të vijojë edhe në ditët në vijim, me qëllim për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, pensionistëve dhe të moshuarve të vetmuar.

Ajo i bëri apel qytetarëve që të qëndrojnë pranë banesave të tyre dhe të respektojnë të gjitha masat e marra nga qeveria, me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19. Masat e ndërmarra deri tani, që nga mbyllja e bareve, restoranteve, kafeneve apo aktiviteteve të ndryshme si dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarë, janë marrë me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit. z.tosku/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.