Çelja e negociatave/ Partia e Socialistëve Europianë: Shqipëria ndërmori reforma të forta, BE të përmbushë angazhimet e veta

TIRANË, 25 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Partia e Socialistëve Europianë përshëndet vendimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar përshëndetjen e Sergei Stanishev, presidentit të Partisë së Socialistëve Europianë.

Stanishev thekson se ky është një hap me rëndësi strategjike për Ballkanin.

“Kjo është çështje drejtësie dhe besueshmërie. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë reforma të forta dhe të nevojshme dhe na kanë treguar përkushtimin e tyre ndaj rregullave dhe idealeve europiane. Ka ardhur koha që BE-ja të përmbushë angazhimet e veta. Kjo është gjëja e duhur për të bërë”, thekson Stanishev.

Stanishev nënvizon rëndësinë strategjike të këtij hapi për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ky vendim dërgon një sinjal shumë pozitiv për Ballkanin Perëndimor: Dera e BE-së është e hapur për ata që duan të modernizojnë vendet e tyre në përputhje me parimet e demokracisë dhe vlerat e BE-së. Ne e dimë që BE ka fuqinë të prodhojë ndryshime pozitive në fqinjësinë e saj të afërt. Le ta përdorim. Unë e përgëzoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev për udhëheqjen e tyre”, përfundon Stanishev. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.