Brataj pozitiv me COVID-19/ Rakacolli: Hetim epidemiologjik i hollësishëm i kontakteve të ngushta të tij

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli deklaroi se për  rastin e drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj i cili rezultoi pozitiv ndaj COVID-19, po kryhet një hetim epidemiologjik i hollësishëm i kontakteve të ngushta të tij.

“Në rastin e doktor Brataj, është duke u zhvilluar një hetim epidemiologjik të hollësishëm. Nëse gazetarët do të konsiderohen persona të ngushtë kontakti, gjatë kontakteve që ata kanë patur me doktor Brataj, patjetër që do t’i bëhet testi. Por që të quhesh kontakt i ngushtë, ka disa rregulla të cilat i ka të përcaktuara shkenca epidemiologjike”, -tha Rakacolli.

Më tej, ajo sqaroi se testet për doktorët kryhen kur kanë dyshime që mund të kenë dëmtuar mjetet mbrojtëse dhe dyshojnë që mund të kenë qenë në kontakt me të infektuarit. Rakacolli tha se nuk rekomandohet testimi masiv.

“Presupozohet që mjekët të cilët punojnë në vijën e parë të frontit të luftës, më të sëmurë që tashmë dihen që janë më COVID-19, përdorin mjetet mbrojtëse që janë të provuara që janë efikase. Por në rast se një mjek pa dashje mund ta dëmtojë mjetin mbrojtës dhe dyshon që mund të ketë rënë në kontakt me të sëmurin pa qenë i mbrojtur, e dëshiron t’a bëjë testin, patjetër. Nëse mjeku mund të shfaqi shenjat e sëmundjes, sepse edhe ai është pjesë e shoqërisë, atëherë patjetër që do t’i bëhet. Por testimi masiv, pa pasur të dhënë që mund të jesh i infektuar me sëmundjen COVID-19, nuk ka kuptim të bëhet. Sepse nëse sot rezulton negativ në testim, mund të bëhesh nesër pozitiv. Pra pa pasur shenja të sëmundjes dhe pa pasur dyshim që mjeku mund të jetë i infektuar, shkenca epidemiologjike nuk e sugjeron një gjë të tillë’, -tha  Rakacolli.z.tosku/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.