U infektua me COVID-19/ Kreu i Urgjencës Skënder Brataj: Në front mund të dëmtohesh në këtë luftë të padukshme

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, pas infektimit me COVID-19 tha sot se “jam në një gjendje të lehtë të sëmundjes dhe tani po kurohem në banesë”.

Dyke falënderuar për interesimin, Brataj tha se “është shumë emocionues ky reagim solidariteti nga ana juaj. Temperatura ime në këtë moment është vetëm 37,5, nga 39,5 që ishte dy ditë më parë. Ne personeli mjekësor dhe mbështetës, nuk i shmangemi dot betejës, linjës së parë për të cilën jemi përgatitur. Është normale, që sado masa parandaluese të marrësh, në front mund të dëmtohesh në këtë luftë të padukshme, ndërsa ju mundeni të ekspozoheni sa më pak”.

Brataj i bën apel qytetarëve duke theksuar “bëhuni ju të padukshëm për koronavirusin. Qëndroni në shtëpi. Tani edhe unë do të punoj nga banesa për disa kohë, sepse mundet. Të gjithë bashkë do t’ia dalim”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.