SHBA – Cuomo: Përhapja e COVID-19 në Nju-Jork do të pasojë në shtetet e tjera

NJU-JORK, 24 mars /ATSH/- Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, paralajmëroi sot në një konferencë për shtyp se ajo që po ndodh me Nju-Jorkun do të përfundojë duke ndodhur edhe me shtetin e Kalifornisë, Uashingtonin dhe Illinoisin, sipas CBSNews

“Ne jemi vetëm një rast provë dhe kështu duhet të na shikojë kombi”, tha Cuomo.

Shteti i Nju-Jorkut po lufton me mbi 25 000 raste të konfirmuara me koronavirusin e ri duke arritur në gati 6 % të rasteve globale.

Cuomo theksoi se rritja e rasteve në Nju-Jork nuk është “një fenomen i Nju-Jorkut” dhe se njerëzit në të gjithë vendin duhet të presin një rritje të ngjashme.

“Ku jemi sot, do të jeni ju në tri, katër, pesë ose gjashtë javë më vonë. Ne jemi e ardhmja juaj dhe ajo që ne bëjmë këtu do të përcaktojë kursin për atë që bëjmë në qytetin dhe në komunitetin tuaj”, vazhdoi ai.

Nju Jorku i ka rritur testimet për COVID-19 dhe po e shndërron një qendër kongresesh në një qendër trajtimi për pacientët me koronavirus.

“Unë po ju kërkoj të ndihmoni Nju-Jorkun që të ndihmoni veten”, tha Cuomo.

Shtetet po luftojnë për të përballuar mungesën e maskave dhe ventilatorëve N95, midis pajisjeve të tjera mjekësore.

Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, Cuomo theksoi se qeveria federale duhet t’i shpërndajë ventilatorët në bazë të nevojës dhe se Nju-Jorku kishte nevojë tani për ato.

Ai shtoi se pasi Nju-Jorku të kalojë kulmin e kësaj pandemie, do t’i shpërndajë ventilatorët kudo që do të duhen./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.