Prodhimi i produkteve për mbrojtjen ndaj COVID-19/ DPS: Falas, standardet teknike që përcaktojnë sigurinë e cilësinë

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Standardet shqiptare të njëjta me ato që përdoren edhe në vendet e Bashkimi Europian, për të luftuar përhapjen e COVID-19, mund të shkarkohen tani falas në website-in e Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimeve www.dps.gov.al.

Në mbështetje të masave të marra nga Qeveria kundër COVID-19 dhe në mbrojtje të qytetarëve, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit vë përkohësisht në dispozicion, falas, standardet teknike që përcaktojnë sigurinë, cilësinë dhe metodat e provës së produkteve thelbësore për parandalimin e infeksionit COVID-19.

Këto produkte janë maska filtruese, doreza dhe veshje mbrojtëse mjekësore, karakteristikat teknike të të cilave jepen në standardet shqiptare të përmendura më lart.

Këto standarde i vijnë në ndihmë çdo kompanie vendase, e cila prodhon ose vendos të prodhojë një apo disa nga këto produkte.

Duke besuar se ky veprim kontribuon në mbrojtjen e jetës së profesionistëve të shëndetit dhe të gjithë bashkatdhetarëve tanë, në linkun e mëposhtëm mund të aksesoni falas Standardet Shqiptare: http://www.dps.gov.al/button_114.html. /a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.