“Pandemia po përshpejtohet”/Kalo thirrje qytetarëve: Izolim dhe karantinim, së bashku mund t’ia dalim përballjes me vrastarin COVID-19

TIRANE, 24 mars/ATSH/- Mjeku i njohu i Infektivit në QSUT, Tritan Kalo shprehet se pandemia e COVID-19 po përshpejtohet dhe kemi ende ditë të vështira përpara.

Kalo thekson se duhet vijuar me testimin e çdo rasti të dyshimtë, izolimin dhe përkujdesjen për çdo rast të konfirmuar, si dhe gjurmimin e karantinimin e çdo personi të kontaktit të ngushtë.

Duke iu referuar OBSH-së, Kalo i cilëson këto tre masa më efikase të kontrollimit të Pandemisë Covid-19, krahas distancimit social, higjienës, ushqyerjes, etj

“Ne në Shqipëri nuk po bëjmë asgjë më pak dhe asgjë më shumë se kaq… Së bashku dhe në mirëkuptim maksimal do të mundemi t’ia dalim përballjes me vrastarin e tinzarin Covid-19… Politikat e mëdha, mititantizmin e verbër, gjithëdijësinë, protagonizmin e venitetin delirant, gojëhidhësinë dhe gjysmëdijenitë analfabetiko-funksionale, le t’i lëmë për t’i shpalosur pasi t’a kemi fituar këtë betejë… T’u bëhemi krah me qëndrimet e veprimet tona racionale të gjithë personelit mjekësor, që në vijën e parë të frontit përballet me këtë “armik të padukshëm jetëmarrës”… Të qëndrojmë në mjediset tona, KUR nuk kemi asnjë arsye ekzistencialiste për t’ju ekspozuar Sars-Cov-2…”, apelon mjeku i njohur.

Kështu thekson ai, mbrojmë veten dhe njëkohësisht vemë edhe më pak në rrezik jetët e mjekëve, infermierëve, imazheristëve, farmacistëve, laborantëve, administratorëve, sanitareve, shoferëve, teknikëve të mirëmbajtjes, barrelistëve, koordinatorëve, policëve e ushtarakëve, etj., të cilët përkujdesen për të sëmurët me Covid-19 në spitale dhe ambulatorisht…”.

“Prof. Përparim Kabo thelbësisht qartazi shprehet se: “Kur vdes një njeri vdes një jetë, kur vdes një mjek vdesin qindra jetë”… JU DUAM dhe JU RESPEKTOJMË… PËKUJDESEMI dhe do të përkujdesemi për JU në çdo minutë, me VETËMOHIM e PROFESIONALIZËM shembullor… KURRË mos harroni se NE JEMI motrat, vëllezërit, bijat e bijtë tuaj, ndaj edhe JU duhet të na DËGJONI dhe të na RESPEKTONI… BASHKË me MËNDJEKTHJELLTËSI e ZEMËRBARDHËSI ne do t’ia DALIM MBANË!!!”, deklaron Kalo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.