Mbështetje familjeve në nevojë dhe të moshuarve/ Asnjë nuk do të mbetet pa ndihmën jetike, deri në fund

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Në të gjitha qytetet e vendit po vazhdon shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë dhe të moshuarit që jetojnë vetëm.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video nga shpërndarja e ndihmave në bashkitë e vendit, si mënyrë për t’u qëndruar pranë këtyre banorëve në këto të vështira që po kalon vendi, për shkak të COVID-19.

“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm, vazhduam sot të ndihmojmë mijëra motra e vëllezër në nevojë. Asnjë nuk do të mbetet pa ndihmën jetike, deri në fund. Një atdhe, një familje”, tha Rama.

Në shpërndarjen e ndihmave përveç punonjësve të bashkisë janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura, të cilat kanë shpërndarë sot pako ushqimore në Kavajë për familjet në nevojë, që jetojnë në çadra pas tërmetit që preku vendin në datën 26 nëntor 2019./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.