Kurti dhe komandanti i KFOR-it flasin për gjendjen e sigurisë në vend

PRISHTINË, 24 mars /ATSH/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni, ushtruesin e detyrës së ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtnant Rrahman Rama dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, priti në takim për herë të dytë brenda një jave gjeneral major, Michele Risi, komandant i KFOR-it në Kosovë dhe këshilltarin e tij politik, Andrea Angeli, me të cilët diskutoi mbi gjendjen e sigurisë në vend me rastin e përhapjes së koronavirusit dhe masave më të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pandemisë COVID 19.

Sipas një njoftimi të Qeverisë, komandanti Risi, shprehu mirënjohje për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe KFOR-it, po ashtu shprehu edhe gatishmërinë për të thelluar atë.

Ai nënvizoi se përballë sfidës me të cilën po ballafaqohemi, bashkëpunimi ndërinstitucional është i patjetërsueshëm dhe se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është qëllim i përbashkët. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.