Hapja e negociatave/ Tabaku: Hapa konkretë që t’i japim vlerë “po”-së së BE-së

TIRANË, 24 mars /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha sot se BE foli qartë duke i thënë po hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndërsa shtoi se PD ka dhënë kontributin e saj.

Sipas Tabakut, shqiptarët morën një “po” dhe qeveria mori 4 parakushte dhe 11 kushte shtesë.

“Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Europës iu dha një lajm të mirë shqiptarëve në këto ditë të vështira dhe konfirmoi se Europa është me shqiptarët. Një “po” nga Bashkimi Europian dhe 4 parakushte dhe 11 kushte që duhen përmbushur nga qeveria. Vendimi i sotëm teksa çel në parim dritën jeshile, e thotë qartë dhe shkoqur: deri në përmbushjen e kushteve nuk ka nisje negociatash, por ka thjesht vullnet të shprehur nga BE”, tha ajo.

Tabaku shton se “duhet zbatim konkret dhe jo fjalë në letër dhe kjo do të verifikohet përmes grupeve faktmbledhëse te BE.

“Pa krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas frymës dhe gërmës në Kushtetutë dhe në përputhje me opinionin e “Venecias”; Pa përfundimin e Reformës Zgjedhore, pa ndërmarrë luftë me rezultate konkrete kundër krimit dhe korrupsionit nuk ka nisje te bisedimeve. Dokumenti i miratuar sot nënvizon se Shqipëria duhet në kuadrin e prioriteteve. Të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të hetojë dhe ndëshkojë blerjen e votave. Të hetojë dhe çojë para drejtësisë zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive. Të luftojë krimin e organizuar dhe pastrimin e parave të pista. Nga sot bie alibia 4-vjeçare e qeverisë dhe askush nuk mund të fshihet më pas “problemeve të brendshme” brenda BE”, tha ajo.

“BE foli qartë: PO në parim. Që ti japim vlerë kësaj PO-je duhen hapa konkretë, zbatim i çdo kushti të vendosur. Shqiptarët kanë humbur mjaft kohë. Tani duhet veprim. PD ka dëshmuar vullnetin e saj duke dhënë kontributin e saj në tryezën e reformës zgjedhore. Qeveria duhet të bëjë pjesën e saj pa asnjë vonesë dhe pa asnjë alibi”, përfundoi Tabaku.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.