Agjencia Telegrafike Shqiptare

Hapja e negociatave/ Bregu: Urime të gjithë shqiptarëve, kjo është rruga jonë

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, duke e cilësuar një gëzim të mrekullueshëm hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Shqipërinë, theksoi “urime të gjithëve që në këtë orvatje të gjatë të shqiptarëve drejt Europës kanë zbuluar të vërteta, janë ndërgjegjësuar e do të vazhdojnë të punojnë”.

“Shumë herë e kam imagjinuar këtë ditë, por asnjëherë se do të vinte kështu.  E brishtë, e tendosur, e munduar nga lodhja e çapitjes sonë të gjatë drejt saj. Asfare s’e kisha menduar që të ngërthyer mes krizave e së fundmi kërcënimeve prej një virusi mizor, do të na dukej kjo ngjarje si dytësore. Ja pra si për ironi të fatit, shembja e murit e çelja e portës për të hyrë më në fund në Europë duhej të vinte në këtë realitet, kur muret po na rezultojnë trishtueshëm e vetmja siguri”, – thekson Bregu.

Bregu u shpreh se “urime të gjithëve që në këtë orvatje të gjatë të shqiptarëve drejt Europës kanë zbuluar të vërteta, janë ndërgjegjësuar e do të vazhdojnë të punojnë të qartë se nga arritjet te zhgënjimet; nga përpjekjet te bllokimet, nga kokëfortësia te lëshimet; nga paragjykimet te vetëpërmbajtja, kjo është rruga jonë. Më mirë vonë, se kurrë”./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version