Dibër/ Vijon shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë, pavarësisht dëborës

TIRANË, 24 mars /ATSH – I. Vata/ Bashkia Dibër vazhdon edhe në ditët me borë të ndajë ndihma për familjet në nevojë.

Kryetari i bashkisë Dibër, Dionis Imeraj tha sot se punonjësit kanë sfiduar motin dhe terrenin për të qenë pranë familjeve në nevojë.

“Reshjet e dëborës nuk na pengojnë të trokasim në dyert e familjeve më në nevojë dhe pensionistëve të vetmuar edhe në fshatrat më të largëta të bashkisë Dibër”, tha ai.

Po ashtu Imeraj shton se “në njësinë administrative Muhurr u gjendëm pranë familjeve ku nevoja është më e madhe, me pako ushqimore dhe produkte higjienike”.

“Falenderojmë Kryqin e Kuq Shqiptar, dega Dibër, për bashkëpunimin dhe kontributin! Jemi çdo ditë pranë jush, mjafton që ju të zbatoni rregullat dhe të qëndroni në shtëpi”, tha Imeraj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.