COVID-19/ Në këtë luftë vendos fuqia e solidarizimit të qytetarëve me shtetin, të bëjmë çmos të humbim sa më pak jetë

TIRANË, 24 mars /ATSH – I. Vata/- Kryeministri Edi Rama tha sot se luftë me COVID-19 duhet të bëjmë çmos që të humbasim sa më pak jetë shqiptarësh dhe të veprojmë si një familje e e vetme dhe secili në unitet me rregullin e përbashkët.

“Sot kur bota mbarë po përjeton ankthin e përditshëm të trokitjes së vdekjes që përmes këtij agresioni vrastarë shkon derë më derë dhe kërkon njerëz në dyert e çdo shteti pa dalim madhësie, zhvillimi, ne kemi vetëm një rrugë: t’ia zëmë vdekjes të gjitha që ajo të mos trokasë dot në të gjitha dyert, përndryshe po e lamë të kalojë pa pengesa shumë të forta do të humbasim dhe njerëz të dashur, siç po  humbasin të tërë shtetet, por pikërisht se ne jemi më të vegjël se popuj të tjerë ne duhet të bëjmë çmos që të humbasim sa me pak jetë shqiptare në këtë luftë”, u shpreh kryeministri Rama.

“Luksenburgu është  shumë  më i vogël në territor dhe goxha më i vogël në popullsi se ne. Është një nga vendet më të pasur të mbarë  planet që sot po vuan shumë më shumë se ne sepse nuk  i mori masa në kohë siç i morëm ne. Mbi 600 mijë njerëz kanë 875 të infektuar dhe 8 të vdekur. Ata s’kanë familje me ndihmë ekonomike dhe nuk kanë probleme ushqimore dhe jetike të asnjë natyre. Ja që në këtë  luftë nuk qenka puna sa bukë dhe para ke, po si lufton dhe sa reziston. Në luftë si kjo vendos strategjia e masave dhe jo numri i ushtarëve, vendos koha kur masat merren dhe jo lloj i tyre. Vendos fuqia e solidarizimit të qytetarëve me shtetin që në këtë luftë duhet të jenë  si një familje e vetme ku secili vepron në unitet me rregullin e përbashkët”, tha ai.

Prandaj, sipas tij, në këtë luftë familjet shqiptare duhen ndihmuar jo vetëm me ligj por dhe me zakon.

“Nuk vdes njeri dhe po të rrijë pa ngrënë 20 ditë dhe i mbyllur pa parë njëri me sy për 20 vjet, por mbështetja e veçantë për këto  familje nuk është as nga halli se do të vdesin për bukë, as nga frika se do të dalin rrugëve për të mos vdekur, por nga nevoja e kësaj luftë që  ata të mos ndihen të veçuar të mos ndihen të braktisur të mos ndihen vetëm dhe të jenë të motivuar shpirtërisht. Vetëm kështu ne nuk do dalim kokulur nga kjo luftë por do të bëhemi më të mirë, do të jemi më të fortë  si popull dhe si shtet, kur pas çlirimit të rifillojë jeta normale në Shqipërinë që do të  fillojë të negociojë me Bashkimin Europian anëtarësimin e saj të  shumëadhuruar në familjen e madhe të popujve të Europës  së Bashkuar”, tha ai.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.