COVID-19/ Marinaj për ATSH: Në Malësinë e Madhe 350 familje në nevojë kanë marrë ndihma ushqimore

TIRANË, 24 mars /ATSH/- Tonin Marinaj, kryetar i bashkisë Malësi e Madhe, tha sot për ATSH-në se, 350 familje në nevojë kanë marrë ndihma me ushqime dhe sende higjieno-sanitare, në kuadër të masave kundër COVID-19, që ka prekur vendin tonë.

Marinaj  shprehet se, që në ditët e para të situatës së jashtëzakonshme, stafi i bashkisë Malësi e Madhe,  i është gjendur pranë familjeve që janë në kushte të vështira ekonomike, duke i ndihmuar ato me pako me ushqime, që të përballojnë këto ditë të vështira të karantinës për mos përhapjen e COVID-19.

Sipas tij, kontribut në këtë proces ka dhënë komuniteti i biznesit të zonës. Ndërsa aktualisht ndonëse nuk paraqiten kërkesa nga familje për ndihma me ushqime, “ne jemi  duke qëndruar në gatishmëri për çdo nevojë që mund të paraqitet nga banorët në kushtet e  vetizolimit” -tha Marinaj.

Marinaj theksoi për ATSH-në, se në dispozicion të qytetarëve bashkia, ka vënë një numër telefoni si dhe mjetet e saj të transportit, për t’i shërbyer në shtëpi, për çdo nevojë që mund të kenë familjet në Malësinë e Madhe, në ushqime, ilaçe, apo marrjen e pensionit.

Gjithashtu informoi kryetari i bashkisë, në koherencë me planin e masave të  parashtruara nga qeveria kundër përhapjes së COVID-19, janë kryer dezinfektimet e ambieteve në institucionet publike ndërsa qytetarët po respektojnë urdhrin e ndalim qarkullimit, sipas  fashave orare. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.