COVID-19/ Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Meta: Momenti për të diskutuar edhe një plan më afatgjatë, në varësi me skenarët e zhvillimit të pandemisë

TIRANË, 23 mars /ATSH – I. Vata/- “Të respektojmë me disiplinë të hekurt masat kufizuese”, tha sot presidenti Ilir Meta në një intervistë televizive, ndërsa theksoi se do thërrasë mbledhjen  e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për situatën e COVID-19.

“Bashkëpunimi ka qenë i vazhdueshëm për përballimin e kësaj sfide të re dhe tërësisht të pazakontë. Tani është momenti për të diskutuar edhe një herë, jo vetëm për masat e marra deri tani, por edhe rreth parashikimit mbase për një plan më afatgjatë, në varësi me skenarët e zhvillimit të kësaj pandemie në nivel kombëtar por edhe ndërkombëtar. Njëkohësisht do përqendrohemi edhe tek skenarët e ndikimit në ekonomi, në jetën sociale, në mënyrë që në çdo aspekt të jemi sa më të mbrojtur dhe të dalim nga kjo situatë e jashtëzakonshme me sa më pak pasoja, si për sa i takon shëndetit të qytetarëve tanë, por edhe ekonomisë tonë kombëtare dhe familjare”.

Në lidhje me takimin e zhvilluar me Ministren e Shëndetësisë në Presidencë, Meta tha se janë diskutuar të gjitha shqetësimet që unë kam patur vetë apo edhe nga informacionet që qarkullojnë.

“Kam transmetuar disa shqetësime për të cilat kam vënë re që ka patur një gatishmëri për t’iu përgjigjur, sidomos në drejtim të marrjes së masave të jashtëzakonshme për të mbrojtur personelin tonë të shëndetësisë, që është në vijën e parë të përballimit të këtij virusi, si përsa i takon marrjes së masave shtesë për përballimin e kapaciteteve të shtuara për realizimin e terapisë intensive në rastet kur do të jetë e domosdoshme, por edhe për përgatitjen e të gjithë ambienteve të përshtatshme që do të jenë të domosdoshme për një karantinim të sigurt. Në tërësi kemi diskutuar për të gjitha masat që i takon këtij sektori përfshirë këtu dhe angazhimin e të gjithë mjekëve apo dhe personelit, që nuk janë në shërbim aktiv, por që mund të kontribuojnë, edhe shumë prej tyre e kanë bërë këtë gjë”, u shpreh Meta.

A është Shqipëria afër skenari italian? Për presidentin,  Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për ta mbajtur sa më në kontroll këtë krizë. Kjo do të varet shumë nga përsosja e bashkëpunimit në orët dhe në ditët që vijnë midis gjithë autoriteteve dhe të gjithë qytetarëve.

“Bashkëpunimi edhe brenda vet çdo komuniteti për të respektuar distancat sociale brenda dhe vet familjes për të bërë përsëri të njëjtën gjë, pasi ne vërtet nuk kemi mjekësinë aq të zhvilluar sa Italia, por është e vërtetë gjithashtu që ne jemi një vend për sa i takon dimensioneve ku me një organizim më efikas, më të kontrolluar, më të disiplinuar, i kemi të gjitha mundësitë që ta mbajmë nën kontroll. Mos harrojmë që Italia dhe Kina kanë marrëdhënie të tjera në kuptimin e intensitetit të shkëmbimeve njerëzore, të turizmit reciprok. Në rastin tonë ne kemi mundësitë që t’i monitorojmë më mirë të gjitha rastet, jo vetëm të personave të cilët sipas testeve rezultojnë pozitivë, por edhe të gjurmueshmërisë së kontakteve që ata kanë patur për të izoluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi”, tha ai.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.