COVID-19/ Kadastra: Shërbimet online për qytetarët përmes portalit qeveritar e-Albania

TIRANË, 24 mars/ATSH-A. Fortuzi/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton se në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e COVID-19, shërbimet e Kadastrës do të ofrohen vetëm online, përmes portalit qeveritar e-Albania.

Sipas njoftimit të publikuar nga Kadastra, sqaron edhe mënyrën se si duhet aplikuar.

“Të nderuar qytetarë. Në bazë të emergjencës së shkaktuar nga COVID-19, ju bëjmë me dije se të gjithë shërbimet e ofruara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, do të vijojnë të ofrohen vetëm përmes portalit qeveritar e-Albania”, thekson Kadastra.

“Duke patur parasysh vështirësitë normale të qytetarëve në njohjen dhe familjarizimin me këtë mënyrë aplikimi, gjejmë rastin për të bërë disa shpjegime që do t’ju ndihmojnë në këtë proces. Aplikoni vetëm në portalin e-albania.al, në dritaren “PASURI E PALUAJTSHME”. Dokumentet e ngarkuara elektronikisht (nëse aplikimi i kërkuar parashikon të tilla), duhet me patjetër t’i dërgoni edhe nëpërmjet Postës Shqiptare drejt drejtorive dhe zyrave përkatëse të ASHK-së. Duhet bërë pagesa për shërbimet e ASHK-së, pranë bankave të nivelit të dytë dhe/ose Postës Shqiptare. Pa kryerjen e pagesës, nuk fillon procedimi i aplikimit të kryer”, njofton Kadastra.

“Në të gjitha rastet (nëse do ju duhet të postoni dokumente ose jo) paraprakisht duhet që pranë sporteleve të Postës Shqiptare, të bëni pagesën për zarfin e marrjes së përgjigjes. Për çdo paqartësi mund të na dërgoni email tek: [email protected]“, përfundon njoftimi i Kadastrës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.