COVID-19/AKU: Qytetarët të mos i prekin me dorë frutat dhe perimet

TIRANË, 24 mars /ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën apel subjekteve që tregtojnë fruta-perime, të respektojnë në mënyrë rigoroze zbatimin dhe forcimin e masave për ndalimin e përhapjes së Koronavirusit.

Sipas AKU-së  të gjithë subjektet që tregtojnë fruta-perime të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme këto masa: Të gjitha produktet fruta-perime duhet të jenë të mbuluara me qese plasmasi të tejdukshme në mënyrë që të shmanget kontakti me spërklat e mundshme gjatë të folurës apo tështitjes së personave; Të gjithë shitësit por edhe konsumatorët të shmangin prekjen e drejtpërdrejtë me dorë të produktit. Zgjedhja dhe blerja e tyre do të bëhet vetëm nëpërmjet dorashkave njëpërdorimshe ose qeseve që shërbejnë për mbajtjen e produktit.

AKU është shprehur se këto masa vijnë si rrjedhojë dhe nevojë e forcimit të mëtejshëm të masave të mëparshme të ndërmarra, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të gjithë konsumatorëve. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.