Basha: Do të marr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, koha që gjithkush të japë kontributin e tij

TIRANË, 24 mars/ATSH/ – Kryetari i Partise Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Ilir Meta për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Lajmin e ka dhënë sot zyra për shtyp e Partisë Demokratike, e cila thekson se, “duke iu përgjigjur interesit të shumë gazetarëve ju bëj të ditur se Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit Ilir Meta për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombetare”.

“Basha thekson se tani është koha që gjithkush të japë kontributin e tij në shërbim të jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetareve në këto ditë të vështira”, thuhet në njoftimin e PD.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi mbrëmë në një intervistë televizive se do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare sa i përket situatës së ndalimit të përhapjes së koronavirusit COVID-19 në Shqipëri.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.