21-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë/ Meta: Liria është e shenjtë dhe dhunimi i të drejtave të njeriut, i patolerueshëm

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta përkujtoi sot 21-vjetorin e fillimit të ndërhyrjes vendimtare të NATO-s në Kosovë.

“Si sot 21 vite më parë filloi ndërhyrja vendimtare e NATO-s në Kosovë për t’i dhënë fund një politike shfarosëse dhe spastrimi etnik në zemër të Europës, duke realizuar një mision historik në mbrojtje të lirisë”, ka theksuar Meta në mesazhin e tij.

Sot, ka vijuar Meta, “është dita për të falënderuar vendet anëtare të NATO-s, që nën udhëheqjen e SHBA treguan 21 vite më parë se liria është e shenjtë dhe se dhunimi i të drejtave të njeriut është i patolerueshëm dhe i papranueshëm”.

“Sot është gjithashtu, jo vetëm një ditë reflektimi për Kosovën, por edhe një mundësi për të treguar potencialin e saj të vërtetë, besnikërinë e saj ndaj NATO-s, parimeve e vlerave të pazëvendësueshme euro-atlantike, si dhe të gjithë vendosmërinë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar plotësisht në këto parime”, ka nënvizuar Meta.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.