Vijon dezinfektimi i hapësirave publike në Urë Vajgurore, Memaj për ATSH-në: Shfrytëzojmë oraret e zbrazjes së qytetit

TIRANË, 23 mars/ATSH/ Grupi i ekspertëve dhe punonjësit e bashkisë së Urës Vajgurorore po shfrytëzojnë kohën kur i gjithë qyteti është i zbrazët për të dezinfektuar rrugët dhe hapësirat publike.

Kryetarja e bashkisë, Juliana Memaj tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ky proces po vijon prej ditësh, me qëllim edhe frenimin e përhapjes së COVID-19 dhe sigurinë e shëndetit të qytetarëve.

“Prej disa ditësh po shfrytëzojmë kohën kur i gjithë qyteti është i zbrazur për të dezinfektuar rrugët dhe hapësirat publike. Bashkë me një grup ekspertësh dhe punonjësit tanë të bashkisë po bëjmë maksimumin për të marrë të gjitha masat e duhura për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Ju lutem qëndroni në shtëpi dhe bëni kujdes për higjienën tuaj”, – tha Memaj për ATSH-në.

Lidhur me lagjet në të cilat u operua me dezinfektimin, Memaj tha se “ditën e sotme është ndërhyrë në të gjitha pallatet brenda në qytet si lagjet: “18 Tetori”, “4 Shtatori”, 28 Nëntori” etj. Po ashtu, kemi dezinfektuar edhe bankat, poliklinikat, supermarketet, minimarkete dhe farmacitë. Ne si bashki, po vijojmë dezinfektimin në të gjitha njësitë administrative dhe sot përfunduam dezinfektimin e ambienteve publike në njësinë Poshnjë. Çdo rrugë që ka frekuentim njerëzish do të dezinfektohet dhe ne si bashki, do të sigurojmë ç’të jetë e mundur për shëndetin e qytetarëve. z,tosku/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.