COVID- 19/ Ujësjellësi Durrës: Orari i shërbimit për qytetarët 07:00-13:00

TIRANË, 23 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Ujësjellës Kanalizime Durrës njofton abonentët se ditën e nesërme, 24 mars 2020 arkat ku mund të paguhen faturat e ujit dhe shërbimi i klientit do të funksionojnë çdo ditë në orarin 07:00 deri 13:00.

Ujësjellës Kanalizime Durrës përmes një njoftimi për mediet, të hënën sqaroi se, “nga data 24 mars 2020 arkat ku mund të paguhen faturat e ujit dhe shërbimi i klientit do të funksionojnë çdo ditë në orarin 07:00 deri 13:00 dhe personeli do ketë orar të reduktuar dhe alternuar. Ky do të jetë dhe orari për ditët në vijim, në kuadër të masave të marra nga qeveria për të minimizuar përhapjen e COVID-19”.

Në njoftimin e saj, Ujësjellës Kanalizime Durrës i bënë thirrje klientëve, “që të drejtohen për të paguar faturat online me anë të aplikacioneve të bankave, ose nëpërmjet degëve të Postës Shqiptare, Money Gram, Western Union etj”.

“Sqarojmë se pagesa nëpërmjet kësaj rruge nuk është e nevojshme për të pasur faturën, pasi atë e gjeni në rubrikën “Selfcare” në faqen  e web-it. Për ata qytetarë që nuk kanë mundësi për ti paguar faturat në këtë rrugë, UKD orienton qytetarët se ata duhet të mbajnë maska dhe distancë prej rreth 1 metër kur paraqiten para punonjësve të arkave. E njëjta gjë vlen edhe për zonën e Shijakut”, thekson UKD në njoftimin e saj zyrtar.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.