COVID-19/ U futëm shpejt pa humbur kohë në llogoren e masave shtrënguese, nuk duhet ta humbasim avantazhin që kemi krijuar

TIRANË, 23 mars/ATSH-Maela Marini/ “Ne u futëm shpejt pa humbur kohë në llogoren e  masave shtrënguese dhe është realisht turp, është qesharake dhe tragjike ta humbasim avantazhin që kemi krijuar”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “kushdo që ka menduar se kjo luftë do të kalojë pa humbje jete e ka menduar gabim. “Virusi do të prekë shumicën prej nesh çfarëdo të bëjmë. Gjithçka që bëjmë ne ka shumë rëndësi për mirë apo për keq. Duke u shtrënguar maksimalisht ne e ngadalësojmë shumë përhapjen e armikut dhe kështu ulim humbjet e jetëve dhe lehtësojmë malin e vuajtjeve që duam s’duam ne do t’i kalojmë në këtë luftë si gjithë bota”, tha Rama.

Ndaj, kryeministri u kërkoi qytetarëve që të bëjnë durim pasi duhet të dalim nga kjo luftë me kokën lart, jo duke numëruar qindra e mijëra të vdekur dhe duke i transportuar në makina ushtarake trupat për t’i gjetur një copë varr nëpër kodra me dhjetra km larg vendbanimit”.

Rama përsëriti disa nga rregullat e thjeshta të higjienës që duhen zbatuar, ndërsa theksoi se “forca e zakonit është e tmerrshme por nuk është e pathyeshme dhe këto janë gjëra të thjeshta”.

“Forca dhe durim po luftojmë si duhet dhe kam besim se të pabindurit do pakësohen dita ditës edhe duke parë buletinin e luftës. Numri i jetëve të humbura u shtua dhe do të shtohet, por në asnjë mënyrë nuk duhet të marrë përpjetë dhe të na e nxijë fare jetën me vdekje që rriten për shkakun tonë. Me besa-besë ta zmbrapsim këtë mortje nga shtëpia jonë, Shqipëria, dhe ta shmangim me doemos katastrofën sepse disa humbje nuk i kemi ne në dorë, por shmangien e katastrofës e kemi ne dhe vetëm ne”, tha Rama.

Rama tha se “në botë, në vendet më të zhvilluara me kapacitete shumë më të mëdha se tonat po mendojnë të shtojnë sipërfaqet e varrezave, sepse kapaciteteve spitalore s’mund t’u bëjnë aq shumë sa do të duhej për ta”. “Nuk përballet dot ky agresion progresiv infektimi dhe marrja e frymës të kaq shumë njerëzve thjesht dhe vetëm me spitale”, tha Rama.

Kryeministri zgjodhi t’u kthejë përgjigje edhe të gjithë atyre që i thonë dil nga shtëpia.

“Po ju flas nga dhoma e mbledhjeve ku kam bërë të gjitha komunikimet me ju javën e shkuar sepse këtu kemi instaluar kamera për lidhje direkte me ju dhe këtu punoj gjatë javës me videokonferencat e punës, por po e bëj tani me telefon këtë mesazh që ta shohin dhe ta qepin gojën ata që thonë ‘dil nga shtëpia, mos rri në bunker’. Se kur i thonë asaj fjalës ‘mirë gomari që na ngordhi por duhet të merremi dhe me mizat e mjaltit të tij që gumëzhijnë dhe me budalliqet e marra nga ajo vrima e ndyrë dixhitale e këtij vendi që e dini të gjithë mirë se ku është. Unë në shtëpi mbyllem në fundjavë si gjithë të tjerët seps nuk i përkas racës së keqe të atyre që thonë ‘bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”, tha Rama.

“Kush e ka harruar kohën e tërmetit kur as xhupin nuk e ndërroja se mbeta rrugëve ditë- natë, le ta kujtoj dhe ti lëri dënglat: ‘jo dil nga bunkeri, mos rri në shtëpi, shko në zyrë’. Është kulmi që edhe në këtë kohë kolere shpifjet dhe broçkullat vazhdojnë po njësoj. Aq më tepër, në një luftë si kjo ku trimëria është të rrish mbyllur dhe jo të bësh karshillëqe dhe ku detyra ime është të jap shembullin dhe jo të vij vërdallë për t’u dukur se nuk është as koha për dukje kjo. Nuk jam unë fare tipi i dukjeve të shtirura, nuk më ka munguar dukja që kur isha 10 vjeç dhe isha më i gjati i shkollës dhe doja të zhdukesha jo të dukesha”, shtoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.