COVID-19/ Qeveria miratoi rritjen e deficitit buxhetor në nivelin 68.7 miliardë lekë

TIRANË, 23 mars/ATSH/ Në kuadër të përballimit dhe kapërcimit me sukses të situatës së shkaktuar nga COVID-19, qeveria miratoi rritjen e deficitit buxhetor në nivelin 68.7 miliardë lekë, ose 3.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 2.2% të PBB që pritej sipas buxhetit fillestar.

Për rrjedhojë, do të ketë edhe një rritje të borxhit publik total në nivelin e pritur prej rreth 68.8% e PBB-së.

Ndryshimet në Buxhetin e vitit 2020 sipas këtij Akti Normativ synojnë mbështetjen e shtyllave bazë të përpjekjeve kundër pasojave të COVID-19, duke siguruar 6.5 miliardë lekë fond për paketën sociale anti-COVID“ në mbështetje të punëmarrësve dhe/ose shtresave të tjera të prekura nga pezullimi i proceseve të punës në shkallë vendi duke përfshirë shtresat në nevojë, personat që humbasin punët dhe komunitetet, që do të rezultojnë më të dëmtuar.

Po ashtu, 2.5 miliardë lekë shkojnë në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Strukturave Spitalore, për të siguruar furnizimin me medikamente, aparatura dhe urgjenca të ndryshme dhe në mbështetje të stafeve mjekësore;

Sipas Aktit Normativ, 2 miliardë lekë rialokohen drejt një fondi emergjence për të siguruar furnizimin me ushqim të komuniteteve të caktuara, që do të rezultojnë të prekura nga pandemia, apo për familje me ndihmë ekonomike dhe pensionistë të vetmuar që do të kenë nevojë për ndihmë direkte.

Qeveria ka vendosur 11 miliardë lekë si garanci për kompanitë, që do të gjenden përballë vështirësisë për pagesën e pagave të punonjësve gjatë këtyre muajve. Kjo garanci per kredi afatshkurtra, ka për qëllim të sigurojë që çdo familje të ketë të ardhura të mjaftueshme për përballimin e kësaj situate të vështirë./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.