COVID-19/ Ismaili: Mundësi e një lejeje të posaçme për kategori të caktuara të burgosurish

TIRANË, 23 mars/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ngritur një grup pune për të parë mundësinë që një kategori e caktuar e të burgosurve të lejohet që të dalin me leje të posaçme.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili u shpreh sot në një intervistë televizive se, nisur nga kushtet ku ndodhet vendi për shkak të koronavirusit është ngritur një grup pune për të parë mundësinë që një kategori e caktuar e të burgosurve të lejohet që të dalin me leje të posaçme.

Ai u shpreh se, “padyshim që në drejtorinë e burgjeve janë marrë të gjitha masat për të parandaluar futjen dhe përhapjen e virusit. Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë akte dhe urdhëresa, funksionon Taskforca dhe aktualisht kemi siguri në këtë proces. Nuk kemi asnjë rast, janë detajuar protokollet e distancimit, ndonëse ka përqendrime”.

I pyetur nëse i kanë ndaluar takimet e të burgosurve apo edhe marrjen e ushqimeve, e veshmbathjeve, Ismaili theksoi se, “Kemi kufizuar takimet familjare, i kemi zëvendësuar me video kështu që realizohet më së miri distancimi social dhe minimizohet futja e personave nga jashtë, vetëm punonjësit e policisë, që sa herë futen, i nënshtrohen një kontrolli të rreptë nga një vlerësim nga personeli, dezinfektim pajisje me maska dhe doreza, është zeruar mundësia”.

Ismaili tha se megjithëse COVID-i prek këdo, sërish është marrë masa për ndarjen veç të të burgosurve të moshuar.

I pyetur se si bëhet ajrosja dhe sa persona janë në një dhomë gjatë kësaj kohe, ai tha se, “të burgosurit janë të akomoduar sipas standardeve në varësi të burgut por nuk është aspak problematike. Ajrosja bëhet me grupe të vogla për të shmangur grumbullimet. Ka një mobilizim të pazakontë të stafit, por edhe të burgosurit janë aleatë në këtë përpjekje dhe masat po funksionojnë”.

I pyetur se, cilat janë masat mbikëqyrëse për personat që hyjnë nga jashtë, dhe a ka pasur karantinë për ata që kanë hyrë së fundmi në burgje, Ismaili shtoi se, “ka raste kur vijnë të rinj, ata nuk futen në sektorë me të tjerë por vijojnë karantinimin në dhoma të posaçme. Janë marrë masa nëse do të ketë të dyshuar. Në spitalin e burgut është bërë gati pavijoni nëse do të shfaqet ndonjë. Për të hyrë në burgje, masat janë strikte për personelin, maska, dezinfektim dhe kontakti me të burgosurit është zero”.

I pyetur nëse numri i mjekëve te sistemi i burgjeve është i mjaftueshëm, Ismaili theksoi se, “po janë mjaftueshëm, po kemi nevojë për të tjerë. Por këtu është shfaqur një vullnetarizëm i madh i stafit të burgjeve. Kemi një bashkëpunim perfekt me strukturat e shëndetit publik. Deri tani është përballuar dhe jemi të mobilizuar edhe për të vijuar më gjatë kjo punë”.

I pyetur nëse ka kontrolle për ushqimet, Ismaili nënvizoi se, “protokolli i futjes së ushqimit në burg janë strikte, gjatë kësaj kohe janë zeruar, kemi gjetur mirëkuptim e tyre të vijnë nga posta. Pasi vijnë mbahen pa lëvizur për një periudhë dhe më tej shpërndahen. Për pjesën që përgatisim në burg, rregulli është më i përforcuar”.

I pyetur për rritjen e sigurisë në burgje, Ismaili tha se, “kemi marrë masa shtesë të përforcuara. Sa lidhet me propozimin që dëgjova nga mediat, jam në dijeni që ka një proces për të shikuar mundësinë e një leje të posaçme për të burgosur të një kategorie të caktuar, nuk është ende e definuar, por është në proces. Po punojmë, por ende nuk ka vendimmarrje”.

I pyetur në lidhje me transportin e stafit të burgjeve, Ismaili tha se, “personeli, stafi i burgjeve është shumë i mobilizuar. Po bën sakrificë. Patjetër që ka lindur edhe problemi transportin, por janë marrë masat dhe me makinat e institucionit apo personale duke respektuar deklarimet, kjo është çështje e tejkaluar. E kemi zgjidhur. Ka një angazhim të madh, nuk ka asnjë mungesë në punë. Çdokush që futet në burg i nënshtrohet një vlerësimi fillestar dhe nëse ka simptoma për të mos riskuar nuk i kemi pranuar në punë, janë këshilluar të shkojnë në shtëpi. Punonjësit e burgjeve janë sensibilizuar të karantinohen, pasi risku është i lartë”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.