COVID-19/ Dyfishohen eksportet e bimëve mjekësore, 3 mijë kg në dy javët e fundit

3 mijë kg bimë mjekësore eksportohen në Greqi, në dy javët e fundit  

TIRANË, 23 mars /ATSH/- Shqipëria është një ndër vendet më të pasura me bimë mjekësore dhe ndër aktorët kryesorë në eksportin e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Thesaret natyrore të Shqipërisë, me bimë të egra mjekësore dhe aromatike që gjenden në fusha dhe male, kanë krijuar mundësinë që vendi ynë të jetë lider në prodhimin dhe eksportimin e këtyre.

Në kushtet e përhapjes së virusit COVID-19, në shumë vende të botës, bizneset shqiptare që operojnë në këtë sektor, janë ndeshur me kërkesë të shtuar për eksportet e bimëve mjekësore.

Agjencia Rajonale e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve Vlorë, bën të ditur për ATSH-në, se është dyfishuar eksporti i bimëve mjekësore në këto dy javët e fundit të muajit mars, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Dy kamionë, në total me mbi 3 mijë kg bimë mjekësore, si çaj, dafina, trumza, rozmarinë, rigon dhe disa lloje sherbele, janë eksportuar në Greqi, gjatë periudhës 9 deri 20 mars,  shifër kjo dy herë më e lartë se vitin e kaluar, në eksportin me Greqinë”, shprehet Agjencia Rajonale e SHVMB, ndërsa njofton se volumi i shkëmbime tregtare për mallrat bujqësore vijon normalisht. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.