COVID-19/ Duhet me çdo kusht ta ndalim kërdinë që mund të bëhet për shkak të pakujdesisë, kokëfortësisë dhe papërgjegjshmërisë sonë

TIRANË, 23 mars/ATSH-Maela Marini/ “Kjo është një javë zjarri dhe hyjmë në fazën më dramatike të luftës, ku duhet të bëjmë çmos të gjithë bashkë, për të ulur sa të jetë e mundur humbjet e jetëve dhe vuajtjet e mëdha që sjell ky armik i egër”, tha sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve për rezistencë dhe durim.

Rama tha se “kjo javë do të jetë tejet e vështirë sepse sipas modeleve statistikore tani hyjmë në fazën e shpërthimit më intensiv të atyre bombave në trupin e njerëzve të prekur”.

“Fatkeqësisht humbi jetën dhe një 42-vjeçar i cili nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike. Ngushëllime familjes së tij dhe ngushëllime familjeve të të ndjerëve të tjerë që kishin probleme serioze paraprakisht, por që armiku ua shkurtoi jetën. Kemi përsëritur pa pushim, kjo mortje që ka sulmuar botën synon më të moshuarit dhe më të dobtit fizikisht mes nesh, por as të rinjtë nuk janë 100% të paprekshëm prej saj, përkundrazi. Prandaj ju lutem mos luani me zjarrin”, tha Rama.

Kryeministrit tha se “nuk e ndalim dot vdekjen të na marri njerëz, por duhet me çdo kusht ta ndalim kërdinë që mund të bëhet për shkak të pakujdesisë, kokëfortësisë dhe papërgjegjshmërisë sonë”.

“Do të humbasim njerëz, nuk e di se sa, askush nuk e di askund, por nuk duhet në asnjë mënyrë të humbasim një mal me njerëz, kurrën e kurrës. Dhe këtë e kemi ne në dorë, e ka në dorë secili prej nesh duke bërë durim, durim, durim”, tha Rama.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që kur dalin për pazar ose kur shkojnë në bankë të mos rrinë grumbull, por në distancë të paktën 1 metër pas kurrizit të njeri-tjetrit.

“Në radhë vijë e drejtë. Pse është kaq e vështirë kjo? Çfarë lidhje kanë oraret me mosqëndrimin në radhë si duhet, me ecjen në rrugë 2-she apo 3-she, kur kjo është e rrezikshme dhe e ndaluar. Këto janë shërbime që i bëhen armikut që në grumbullimet kaotike apo ecjet pranë e pranë gjen shesh për përsheshin e hidhur që kërkon të bëjë me ne”, tha Rama.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.