COVID-19/ Drejt shtyrjes lojërat olimpike “Tokyo 2020”

TIRANË, 23 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, të parashikuara për t’u zhvilluar nga data 24 korrik në 9 gusht, duket se janë drejt shtyrjes, për shkak të koronavirusit të ri COVID-19.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë duke parë emergjencën ndërkombëtare të shkaktuar nga koronavirusi, ka nisur të vlerësoj disa skenarë për zhvillimin e lojërave olimpike.

Sportmediatset, në Itali, shkruan se hipoteza e parë është që lojërat olimpike të zhvillohen mes datës 25 gusht deri në datën 6 shtator. Data këto që i ishin parashikuar lojërave paraolimpike. Skenari i dytë është ai i vjeshtës, nga data 9 deri në datën 25 tetor, që korespondon me datat e lojërave olimpike të zhvilluar pikërisht në Tokyo në vitin 1964. Hipoteza e tretë është nëntori, por nuk përjashtohet dhe mundësia për të shtyrë eventin edhe vitin e ardhshëm, në varësi të situatës që paraqet përhapja e koronavirusit të ri.

Sportmediaset shkruan se vendimi final do merret brenda 30 ditëve nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë, por lojërat olimpike të Tokyos duken seriozisht në rrezik.

Koronavirusi i ri ka ndikuar në shtyrjen e kampionatit Europian të Futbollit, Kupës së Amerikës dhe kompeticioneve të tjera të rëndësishme.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.