COVID-19/ 121 kamionë nga Lushnja dhe Fieri, eksportet bujqësore vijojnë me të njëjtin volum

TIRANË, 23 mars /ATSH/- Eksportet bujqësore shqiptare, po vijojnë me të njëjtin ritëm  treguesish, krahasuar në të njëjtën periudhë të një vit më parë, ndonëse vendi është përfshirë në kushtet e situatës së jashtëzakonshme, të karantinës për t’u mbrojtur nga  COVID-19 që ka prekur edhe vendin tonë.

Agjencia Rajonale e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve Vlorë, bën të ditur për ATSH-në se, “janë 121 kamionë nga Lushnja dhe Fieri, që kanë eksportuar prodhime të freskëta bujqësore në vendet e rajonit dhe më gjerë, vetëm në dy javët e  fundit të muajit mars, nga data 9- 20 mars 2020”.

Sipas të dhënave të fundit nga kjo agjenci, produktet bujqësore që po eksportohen, janë kryesisht prodhime të stinës presh, lakër, karrota, lulelakër, lule shtrydhe, speca, domate, qepë, dhe harta gjeografike e eksporteve, përfshinë, Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Mal i Zi, Austri, Bosnje, Serbi.

Fermerët punojnë në kushtet e respektimit të masave të sigurisë të mbrojtjes kundër COVID-19, duke përdorur doreza dhe maska, shprehen ekspertët e Agjencisë Rajonale të  SHVMB. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.