Autoriteti Rrugor Shqiptar i bashkohet operacionit humanitar për shpërndarjen e pakove ushqimore

TIRANË, 23 mars/ATSH/ Në të gjithë Shqipërinë po vijon operacioni humanitar për shpërndarjen e pakove ushqimore e medikamenteve për të moshuar që jetojnë vetëm dhe nuk kanë të afërm pranë.

Forcat e Armatosura bashkë me pushtetin lokal po punojnë pa ndërprerje për t’u ardhur në ndihmë pensionistëve kryefamiljarë dhe familjeve të varfra, duke u kujdesur që të mos u mungojë asgjë jetike.

Operacionit humanitari i është bashkuar edhe drejtoria rajonale jugore e Autoritetit Rrugor Shqiptar, e cila në bashkëpunim me bashkinë Gjirokastër shpërndau pako ushqimore për pensionistët e vetmuar dhe shtresat në nevojë.

Qeveria po zbaton tani një plan ekonomik prej 10 miliardë lekësh për të përballuar situatën e krijuar nga COVID-19. Kryeministri Edi Rama tha se të parët që do të mbështeten do të jenë më të dobëtit.

Sipas këtij plani ekonomik, 2 miliardë lekë rialokohen drejt një fondi emergjence për të siguruar furnizimin me ushqim të komuniteteve të caktuara, që do të rezultojnë të prekura nga pandemia, apo për familje me ndihmë ekonomike dhe pensionistë të vetmuar që do të kenë nevojë për ndihmë direkte./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.