99.9% e qytetarëve po zbatojnë masat, ata pak që nuk po binden janë prapë shumë për të marrë në qafë të tjerët

TIRANË, 23 mars/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 99.9% e shqiptarëve po zbatojnë rigorozisht masat e vendosura nga qeveria por theksoi ai, mjafton edhe kjo pakicë që të dëmtojë të tjerët.

“99.9% e qytetarëve po zbatojnë masat dhe po sillen korrekt. Dhe natyrisht ata që nuk po binden akoma janë pak, por prapë shumë për të marr në qafë të tjerët”, u shpreh Kryeministri në një intervistë televizive

Rama foli edhe për fashat e orareve që qytetarëve iu lejohet të dalin për të kryer disa shërbime të nevojshme të tilla si blerja e ushqimeve apo medikamenteve.

“Kishim orarin e zakonshëm dhe të gjithë ankoheshin që kishte njerëz në rrugë. Vumë dy fasha, përsëri kishte ankesa. Kemi arritur në fashën 8 orëshe nga ora 05.00 në orën 13.00 në dispozicion të qytetarëve për të bërë pazar, apo për të kryer një kontakt me bankën. Janë shumë, nuk janë pak”, deklaroi Kryeministri.

Shumëkush duhet ta kuptojë, tha Kryeministri, që është koha për t’u zgjuar në orën 05:00, 06:00 apo në orën 07:00 dhe jo të presin orën 11:00 për të bërë pazar.

Duke patur parasysh rrezikun, vijoi Kryeministri, njerëzit duhet të mbledhin mendjen e të dalin nga shtëpia mundësisht një herë në javë e të bëjnë pazar, jo sikur janë me pushime, po sikur janë në luftë, duke qenë se armiku nuk është vizual, por i padukshëm./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.