ZAGREB – Një tërmet i fortë godet Kroacinë dhe Slloveninë

ZAGREB/LUBJANE, 22 mars /ATSH-STA/ – Një tërmet me magnitudë 5,3 ballë dhe me epiqendër në veri të Zagrebit, kryeqytet i Kroacisë, u ndje edhe në Slloveni sot në mëngjes, njoftoi agjencia sllovene e lajmeve, STA.

Tërmeti i orës 06:24, në thellësi 10 kilometra, u pasua nga dy tërmete të forta, sipas Qendrës Sizmologjike Mesdhetare Europiane (EMSC).

Ndërsa fotot dhe videot e medieve sociale nga Zagrebi flasin për dëme të mëdha në ndërtesa dhe të paktën një viktimë, në Slloveni nuk ka raportime deri më tani në lidhje me dëmtimet në lokalitetet më të afërta me epiqendrën.

”Në Krshko nuk ka raportime për dëme”, tha kryetari i bashkisë, Miran Stanko për STA.

Krshko është vendndodhja e termocentralit të vetëm bërthamor të Sllovenisë, i cili është afërsisht 50 kilometra në veriperëndim të Zagrebit dhe kështu afër epiqendrës.

”Stacioni i energjisë po funksionon normalisht, por megjithatë do të kryhe kontrolle ​​të sistemeve dhe pajisjeve”, tha zëdhënësja e termocentralit, Ida Novak Jerele.

Ministria sllovene e Infrastrukturës tha në Twitter se ekspertët e energjisë bërthamore po kryenin analiza në përputhje me protokollet dhe nuk kishte asnjë arsye për mbylljen e tij./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.