Tërmeti në Kroaci/ Lleshaj, mesazh homologut kroat: Jemi të gatshëm të japim kontributin tonë

TIRANË, 22 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i ka dërguar mesazh solidarizimi zv.kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm të Kroacisë, Davor Božinović, në shprehje të solidaritetit pas tërmetit që goditi mëngjesin e sotëm Zagrebin.

Ministri i Brendshëm Lleshaj, në mesazhin e tij thekson se Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e saj modest në menaxhimin e situatës.

“Mësova me hidhërim lajmin për tërmetin që goditi Kroacinë sot. Për arsye të përvojës së rëndë që pati Shqipëria me tërmetet në fund të vitit të kaluar, e kam shumë të qartë peshën që qytetarët tuaj dhe ju personalisht duhet të mbani për të përballuar këtë situatë, që vjen brenda një situate tjetër të rëndë, siç është COVID 19”,- thekson Lleshaj

“Lutem pranoni solidaritetin tim dhe të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe mbani në konsideratë që ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë modest në përpjekjet tuaja për të menaxhuar këtë situatë, nëse kjo gjë  konsiderohet e nevojshme për ju”,- nënvizon Lleshaj.

Një tërmet i fuqishëm është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në Kroaci, me magnitudë  5.3 të shkallës Rihter. Epiqendra e këtij tërmeti ishte në Kasina 7 kilometra në veri të Zagrebit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.